Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) po monitoron me shqetësim të madh zhvillimet rreth kontrollit dhe ndërprerjes së përkohshme të veprimtarisë së qumështores VITA. OEK i bëri thirrje institucioneve kompetente të ofrojnë sqarime të plota dhe transparente lidhur me bazën ligjore dhe procedurat e ndjekura.

Sipas OEK-ut, pretendimet e kompanisë për tejkalim kompetencash nga institucionet janë serioze. Vërtetimi i tyre cenon sigurinë juridike të bizneseve dhe besimin e investitorëve. Kontrollet inspektuese duhet të zhvillohen profesionalisht, paanshëm dhe në mënyrë të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë, duke shmangur trajtimin selektiv.

Oda rikujtoi se siguria ushqimore dhe zbatimi i legjislacionit janë detyrime të panegociueshme. Megjithatë, ajo theksoi se prodhuesit vendorë kanë kërkuar vazhdimisht forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe mbështetje institucionale për prodhimin vendas. Deri më tani, nuk janë marrë masa konkrete për këto kërkesa.

Ndërprerja e veprimtarisë së VITA-s, një prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë, krijon shqetësim në komunitetin e biznesit. Kjo pasi mund të ketë ndikim te punëtorët, fermerët furnizues dhe ekonomia vendore. VITA grumbullon mbi 20 milionë litra qumësht në vit nga më shumë se 1,000 fermerë në Kosovë, duke përfaqësuar një hallkë kyçe të sektorit agro-ushqimor. Çdo ndërprerje e aktivitetit të saj mund të ketë pasoja të gjera për të gjithë zinxhirin e furnizimit.

OEK theksoi interesin publik dhe të biznesit për sqarimin e shpejtë të rrethanave. Ajo kërkoi transparencë të plotë, respektim të procedurave ligjore, trajtim të barabartë dhe politika të qëndrueshme që mbështesin konkurrencën e ndershme dhe prodhimin vendor.