Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEA) ka ngritur alarmin lidhur me inspektimin e kryer në objektet e qumështores “Vita”. Sipas OEA-së, ky inspektim ndaj një prej kompanive më të mëdha prodhuese dhe tatimpaguese në Kosovë, ku u angazhua një numër i madh inspektorësh, është i paprecedent.

Oda Amerikane thekson se mbështet zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e shëndetit publik, por kërkon që këto kompetenca të ushtrohen në mënyrë proporcionale, profesionale dhe të paanshme, në përputhje me sigurinë juridike. OEA shprehet se ky veprim krijon perceptimin e një trajtimi selektiv dhe tendencioz, duke dëmtuar besimin e komunitetit të biznesit.

Sipas Odës, raste të tilla dërgojnë sinjale shqetësuese për investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë. OEA ka shprehur vazhdimisht shqetësim për përkeqësimin e mjedisit të biznesit, si pasojë e pasigurisë juridike dhe zbatimit jokonsistent të ligjit. Ky incident forcon këto shqetësime dhe dobëson besimin e investitorëve në Kosovë.