Ekspertët shëndetësorë paralajmërojnë përdoruesit e injeksioneve për dobësim, si Wegovy dhe Mounjaro, për rreziqet nga temperaturat e larta. Ruajtja e gabuar mund të dëmtojë efektivitetin e barit, edhe kur pajisja duket normale.
Ian Budd, farmacist në Chemist 4U, thekson se injeksionet duhet të ruhen nën 30°C. Ai këshillon që para përdorimit, pajisjet e pahapura të mbahen në frigorifer, mes 2 dhe 8°C. Pasi të hapen, duhet të qëndrojnë në temperatura nën 30°C. Për transport, rekomandohet përdorimi i çantave termike.
Përveç dëmtimit të pajisjes, nxehtësia dhe rrezet e diellit direkte mund të prishin edhe vetë përmbajtjen e barit. Përpara çdo injektimi, është thelbësore të kontrollohet lëngu; ai duhet të jetë i kthjellët, pa grimca apo ndryshim ngjyre. Nëse vërehen shenja të tilla, bari nuk duhet të përdoret.
Gjithashtu, disa barna për dobësim rrisin djersitjen, duke shtuar rrezikun e dehidrimit në ditët e nxehta. Pacientët këshillohen të pinë shumë lëngje, të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell dhe të ndjekin udhëzimet e mjekut ose farmacistit.