Nga e mërkura, disa delegatë të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nisën procesin e mbledhjes së nënshkrimeve. Ata kërkojnë thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Kuvendit. Kërkesa kryesore e kësaj nisme është vënia në rend dite e shkarkimit të kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku.

Për thirrjen e mbledhjes nevojiten nënshkrimet e një të tretës së delegatëve të Kuvendit. Pas sigurimit të nënshkrimeve, kërkesa për shkarkimin e kryetarit mund të vihet në votim. Deri më tani, nga 355 delegatë gjithsej, nuk janë siguruar 118 nënshkrimet e nevojshme.

Kjo nismë vjen pas pakënaqësive të shprehura pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Dega e LDK-së në Pejë, ajo në Lipjan dhe Dega e II në Prishtinë kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut. Ato e argumentuan kërkesën me rezultatin e dobët zgjedhor. Kësaj thirrjeje iu bashkua edhe deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Në përgjigje, Abdixhiku kërkoi dorëheqjen e kryetarit të Degës së LDK-së në Pejë, Gazmend Muhaxheri, dhe të kryetarit të Degës në Lipjan, Imri Ahmeti, për rezultatin e dobët në këto degë. Më pas, Abdixhiku deklaroi se Kuvendi i LDK-së do të mblidhet në vitin 2027, në mbledhjen e rregullt. Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Abdixhiku kishte ofruar dorëheqjen, por Kuvendi i LDK-së e refuzoi atë kërkesë më 31 janar.