Niko Qarkaj, një protestues i ndaluar, dyshohet se është dhunuar nga policia dhe nuk i është ofruar ndihmë mjekësore gjatë krizave të epilepsisë. Denoncimin e bëri avokati i tij, Gentian Serjani, i cili theksoi se klienti ka hyrë në grevë urie.

Serjani deklaroi se Qarkaj ka pasur tre kriza epilepsie, gjatë të cilave, për shkak të gjendjes së pavetëdijshme, është dhunuar dhe nuk është ndihmuar. Avokati shprehu shqetësimin se klienti i tij mban mend vetëm kërcënimet dhe dhunën nga patrulla policore pas shoqërimit me ambulancë. Ai konfirmoi se Qarkaj mban kanatjere të gjakosur.

Kërkesa për mosmbajtjen e Qarkajt në arrest burgu, drejtuar prokurorisë, nuk ka marrë ende përgjigje. Avokati Serjani njoftoi se ka informuar Avokatin e Popullit dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit për situatën, por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje nga këto institucione. Serjani shtoi se gjendja shëndetësore e klientit është jo e mirë.