Niko Qarkaj u lirua këtë të shtunë nga Gjykata e Tiranës. Ai ishte arrestuar pas protestës së zhvilluar të enjten përpara Parlamentit, ku u akuzua për prishje të qetësisë publike, shkatërrim prone dhe dhunë ndaj policisë.

Pas daljes nga Komisariati nr. 3, ku e prisnin dhjetëra qytetarë, Qarkaj hipi mbi kangjellat e hyrjes dhe nxori një vezë nga xhepi. "Kjo ishte arma ime", deklaroi ai, duke hedhur më pas vezën në oborrin e komisariatit.

Gjatë seancës gjyqësore, Qarkaj pati një krizë shëndetësore. Sipas mbështetësve të tij, ai ishte dhunuar nga efektivët e policisë gjatë qëndrimit në komisariat dhe kishte pësuar kriza epilepsie. Gjykata mori vendimin e lirimit për shkak të mungesës së provave.