Një ndërtesë 38-katëshe pranë Grand Central Terminal në Nju Jork u evakuua të hënën për shkak të rrezikut të shembjes. Autoritetet shpallën gjendje emergjente, duke shkaktuar evakuime dhe bllokim të disa rrugëve në Midtown Manhattan.

Departamenti i Zjarrfikësve të Nju Jorkut (FDNY) mori njoftim për rënien e tullave në zonë. Zyrtarët e sigurisë konstatuan se një tra metalik në katin e 21-të kishte pësuar dëmtime të rënda. FDNY raportoi gjithashtu se dy kolona mbështetëse brenda ndërtesës kishin filluar të përkuleshin dhe disa kate të sipërme shfaqnin shenja fundosjeje.

Si masë sigurie, të gjithë punëtorët e kantierit u evakuuan menjëherë, si dhe dy ndërtesa fqinje. Inxhinierët e Departamentit të Ndërtimit po vlerësojnë gjendjen strukturore të objektit. Për arsye sigurie, hotele, dyqane dhe apartamente në zonë janë evakuuar dhe disa rrugë janë mbyllur për qarkullimin. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve të shmangin zonën deri në stabilizimin e situatës.