Pajisja, e cila ishte blerë në vitin 2023 me financim nga Ministria e Shëndetësisë përmes Projektit të Rimëkëmbjes, kishte qëndruar e papërdorur për rreth tre vjet. Investimi për neuroendoskopin arriti vlerën rreth 95 mijë eurove.

QKUK njoftoi se operacionet neurokirurgjikale me teknikën e neuroendoskopisë janë kryer për herë të parë, duke shënuar një arritje të rëndësishme profesionale. Këto ndërhyrje, një nga metodat më moderne dhe minimalisht invazive në kirurgjinë e trurit, u realizuan me mbështetjen e neurokirurgut të njohur gjerman, Dr. Gousias Konstantinos, më 6 dhe 7 korrik.

Këshilltari i ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Durim Elshani, konfirmoi nisjen e këtij shërbimi, duke theksuar se kjo teknikë trajtohej më parë jashtë vendit me kosto të lartë për shtetin. Ndërhyrjet me neuroendoskopi kushtojnë nga 10 mijë deri në mbi 50 mijë euro jashtë vendit, varësisht nga kompleksiteti i rastit.

Përveç neuroendoskopit, Ministria e Shëndetësisë ka financuar edhe pajisje të tjera moderne për Klinikën e Neurokirurgjisë, si neuronavigatorin, mikroskopin operativ, aspiratorin ultrasonik dhe fluoroskopin. Përdorimi i neuronavigatorit dhe aspiratorit ultrasonik kishte nisur më 11 shtator 2024, me asistencën e specialistëve nga Turqia.