Netanyahu paralajmëroi se shitja e avionëve më të avancuar amerikanë nuk e bën Turqinë një shtet miqësor për SHBA-në. Ai e cilësoi Ankaranë si “një regjim i infektuar nga Vëllazëria Myslimane, e cila urren SHBA-në” dhe theksoi se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, “nuk është një aleat model i SHBA-së”.

Kryeministri izraelit shtoi se Erdogan “kërcënon ta shkatërrojë shtetin tim, të vetmin shtet hebre”. Netanyahu do t'i kërkojë presidentit Donald Trump që të mos ia shesë Turqisë avionët, pasi kjo do të shkatërronte “ekuilibrin e fuqive në Lindjen e Mesme”.

Presidenti Trump pritet të sinjalizojë në Turqi gatishmërinë për të shitur avionët F-35, pavarësisht ndalimit të Kongresit. Në vitin 2019, Trump ndaloi Turqisë blerjen e F-35 pas blerjes së sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400. Kongresi e përfshiu këtë ndalim në ligj në vitin 2020, duke përcaktuar se transferimi i F-35 mund të bëhet vetëm nëse Turqia nuk zotëron më sistemin S-400. Zyrtarët në Washington shqetësohen se sistemi rus mund të përdoret për të mbledhur informacione mbi avionin F-35, duke kompromentuar teknologjinë amerikane.