Netanyahu deklaroi se një vendim i tillë do të dëmtonte ekuilibrin e fuqisë në Lindjen e Mesme. Kërkesa u bë në një intervistë për Fox News, përpara se Trump të udhëtonte për në samitin e NATO-s.

Kryeministri izraelit theksoi se Ankaraja nuk duhet të pajiset me teknologji të avancuar ushtarake. Ai u shpreh qartë: “Nuk mendoj se atyre duhet t’u jepen avionë F-35 ose motorë për avionët e tyre luftarakë.”

Këto deklarata vijnë pas raportimeve të muajit të kaluar se Trump ishte i gatshëm të mbështeste shitjen e motorëve F110 për avionët turq KAAN dhe rikthimin e Turqisë në programin F-35. Sipas Netanyahut, kjo do të "prishte ekuilibrin e fuqisë në Lindjen e Mesme", i cili mbështetet në superioritetin ajror të Izraelit dhe praninë strategjike të Shteteve të Bashkuara në rajon.