Netanyahu e kritikoi ashpër Ankaranë, duke e cilësuar Turqinë si “një regjim të ndikuar nga Vëllazëria Myslimane”. Sipas tij, Turqisë nuk duhet t'i jepen avionë luftarakë F-35 ose motorë F110. Kjo kërkesë vjen pasi Presidenti amerikan Donald Trump sugjeroi muajin e kaluar mbështetjen për shitjen e motorëve F110 dhe rikthimin e Turqisë në programin F-35.

Kryeministri izraelit theksoi se një zhvillim i tillë do të “përmbyste ekuilibrin e fuqisë në Lindjen e Mesme”. Ky ekuilibër, sipas tij, mbështetet në epërsinë ajrore të Izraelit dhe praninë ushtarake amerikane në rajon.

Netanyahu kritikoi Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, duke pretenduar se ai “e kërcënon hapur Izraelin me shkatërrim”. Ai përmendi gjithashtu praninë ushtarake turke në Qipron veriore. Netanyahu ritheksoi edhe qëndrimin kundër armëve bërthamore të Iranit, duke e quajtur Teheranin një kërcënim për Izraelin dhe interesat amerikane. Dobësimi i ndikimit iranian mund të sjellë përparim në procesin e paqes me Libanin dhe marrëveshje të reja rajonale.

Pavarësisht mosmarrëveshjeve të herëpashershme, Netanyahu theksoi bashkëpunimin e ngushtë me Presidentin Trump, duke i cilësuar si aleatë. Ai e përshkroi Amerikën si “një forcë të madhe për të mirën” në botë.