Në Valandovë, një 26-vjeçar u arrestua pas dyshimeve për sulm ndaj babait 51-vjeçar, ndërsa një 18-vjeçar u ndalua për sjellje agresive ndaj nënës. Gjithashtu, në Kavadar, një 38-vjeçar u arrestua pas raportimit të prindit për sjellje agresive.

Në Ohër, dy persona u arrestuan pasi pas një debati verbal, sulmuan fizikisht anëtarë të familjes. Një 30-vjeçar nga Shtipi u arrestua për sulm fizik ndaj bashkëshortes, ndërsa një 54-vjeçar nga Shkupi u ndalua pas kërcënimeve ndaj bashkëshortes.

Një grua 55-vjeçare nga Kumanova raportoi bashkëshortin e saj të alkoolizuar për dhunë të zgjatur. Raste të tjera përfshijnë sulmin e një 45-vjeçari ndaj motrës në Makedonski Brod dhe një sulm vëllazëror në Manastir.

Lidhur me këto raste, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) po përgatit ndryshime në ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje. Ministri Pançe Toshkovski njoftoi në fund të prillit se ndryshimet përfshijnë futjen e një autoriteti të ri policor. Ky autoritet do t'i mundësojë një zyrtari policie të lëshojë menjëherë një masë urgjente mbrojtëse, bazuar në vlerësimin e rrezikut. Kjo masë do të përfshijë largimin e abuzuesit nga shtëpia, ndalimin e afrimit dhe të kontaktit me viktimën.

Tragjedia e 2 marsit 2026, ku humbën jetën një grua dhe vajza e saj gjashtëvjeçare në Shkup pas shumë vitesh dhune në familje, rihapi diskutimin mbi përgjegjësinë e institucioneve. MPB kishte regjistruar disa raportime për marrëdhënie të prishura dhe sulme fizike mes bashkëshortëve në këtë rast.