Kontrata për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë do të nënshkruhet të hënën, sipas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski. Punimet do t'i realizojë një konsorcium i udhëhequr nga kompania ndërtimore Granit.
Autostrada Shkup-Bllacë, me një gjatësi prej 12 kilometrash, pritet të përmirësojë transportin dhe lidhjet me vendet fqinje. Ky projekt do të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik, tregti dhe investime. Projekti është ndarë në dy segmente për të përshpejtuar ndërtimin: nga pika kufitare e Bllacës deri te nyja e Bllacës, dhe nga nyja pranë aeroportit sportiv “Stenkovec” deri në fshatin Bllacë.
Kryeministri Mickoski theksoi se brenda disa muajsh do të jenë në ndërtim gjashtë segmente autostradash. Ai njoftoi se së shpejti përfundon procedura për segmentin Bukojçan-Kërçovë, dhe autostrada Kërçovë-Ohër pritet të jetë në përdorim vitin e ardhshëm në këtë kohë. Gjithashtu, vitin e ardhshëm pritet të hapen 10 kilometrat e para të autostradës pranë Prilepit, ndërsa ndërtimi i autostradës Tetovë-Gostivar-Bukojçan do të jetë në zhvillim të plotë.
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, sqaroi më 13 qershor se punimet në terren do të fillojnë pas kryerjes së procedurave administrative. Punimet pritet të përfundojnë për tre vjet e gjysmë, ndërsa autostrada do të ketë pesë tunele, dy galeri dhe 12 ura.