Ambasada Amerikane në Shkup informoi shtetasit amerikanë se, duke filluar nga 15 korriku 2026, pagesat për shërbimet e pasaportave dhe noteriale do të bëhen ekskluzivisht nëpërmjet portalit zyrtar qeveritar Pay.gov.

Ky ndryshim nënkupton se në sportelin konsullor nuk do të pranohen më para në dorë, karta krediti apo forma të tjera pagese. Konfirmimi elektronik i pagesës, i printuar nga Pay.gov, do të jetë i detyrueshëm për t'u paraqitur gjatë takimit personal në Ambasadë.

Sipas njoftimit, ky kalim drejt një sistemi pa para të gatshme dhe pa kartela krediti synon të modernizojë dhe thjeshtojë procesin e pagesave për shërbimet e ofruara. Shtetasit amerikanë duhet të planifikojnë pagesat paraprakisht online përpara se të paraqiten për takimet e tyre.