Samiti i fundit i NATO-s në Ankara është cilësuar si “samiti i kredibilitetit” për Aleancën. Ralf Gjoni, analist, vlerëson se NATO po përballet me sfida të mëdha, të cilat kërcënojnë besueshmërinë e saj.
Gjoni theksoi se NATO ka tre audienca kryesore në këtë samit: Rusinë, e cila vëzhgon unitetin e Aleancës; Donald Trump, që vazhdon të ushtrojë presion mbi aleatët evropianë dhe sfidon funksionimin tradicional të organizatës; dhe qytetarët e vendeve anëtare, të cilëve qeveritë duhet t'u shpjegojnë rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në kohë vështirësish ekonomike. Pikëpyetjet mbi rolin e NATO-s kanë ekzistuar që pas rënies së Murit të Berlinit. Agresioni rus në Krime në vitin 2014 i dha Aleancës një mision të ri, por sfida kryesore mbetet ruajtja e kredibilitetit.
Analisti kujtoi se që në samitin e vitit 2018, Trump sinjalizoi një qasje konfrontuese ndaj aleatëve. Ai deklaroi se Trump ka arritur t'i shtyjë vendet anëtare të rrisin buxhetet e mbrojtjes. Megjithatë, sipas Gjonit, gjatë mandatit të tij të dytë, Trump po dëmton rëndë kredibilitetin e NATO-s, veçanërisht përballë Rusisë.