Krerët e shteteve dhe qeverive të NATO-s përfunduan samitin në Ankara, duke riafirmuar angazhimin për mbrojtjen kolektive sipas Neni 5 të Traktatit të Uashingtonit. Deklarata e miratuar thekson unitetin, solidaritetin dhe forcën kolektive si themel të paqes dhe sigurisë.
Rusia cilësohet si kërcënimi më i madh afatgjatë për sigurinë euroatlantike. Aleatët po zbatojnë detyrimin e mbrojtjes të dakorduar në Hagë, duke rritur investimet. Gjatë vitit 2025, aleatët evropianë dhe Kanadaja rritën investimet në mbrojtje me mbi 139 miliardë dollarë. Në Ankara u deklaruan më shumë se 50 miliardë dollarë blerje të reja ushtarake. NATO planifikon zgjerimin e kapaciteteve të përbashkëta të prodhimit dhe bashkëpunimin me industrinë e mbrojtjes për të përshpejtuar inovacionin.
Vendet evropiane dhe Kanadaja do të rrisin investimet në mbrojtje, duke marrë përgjegjësi më të madhe për sigurinë e Aleancës. Parandalimi dhe mbrojtja e NATO-s bazohen në aftësi bërthamore, konvencionale dhe kundër-raketore, të mbështetura nga kapacitetet hapësinore dhe kibernetike. Do të investohet në sisteme ushtarake të avancuara, si goditje precize me rreze të gjatë, mbrojtje e integruar ajrore dhe kundër-raketore, sisteme pa pilot, teknologji moderne dhe inteligjencë artificiale.
Deklarata shpreh mbështetjen e palëkundur për Ukrainën në mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial. Aleatët do të ofrojnë 70 miliardë euro pajisje ushtarake, ndihmë dhe trajnime për Ukrainën gjatë vitit 2026, duke konfirmuar angazhimin për të ruajtur të njëjtin nivel mbështetjeje edhe gjatë vitit 2027. NATO mirëpriti vendimin e Bashkimit Evropian për financim shumëvjeçar për Ukrainën.
Lidhur me Iranin, deklarata thekson se Teherani nuk duhet të posedojë armë bërthamore dhe i kërkohet të respektojë lirinë e lundrimit në ngushticën e Hormuzit. Samiti përfundoi me falënderime për Turqinë për mikpritjen dhe organizimin.