Mustafa theksoi se Murati po e paraqet si sukses një parashikim që, sipas tij, tregon mungesë ambicieje për zhvillim ekonomik. Ai tha se Murati “po mburret me stagnimin ekonomik”, duke iu referuar një raporti që parashikon rritje ekonomike nga 3.5% këtë vit në vetëm 3.95% deri në vitin 2031. Mustafa e konsideron këtë normë rritjeje të pamjaftueshme dhe më të ulët se ajo e para ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje në qeverisje.

Sipas Mustafës, kjo normë nuk mjafton për të përmirësuar standardin e jetesës së qytetarëve. Ai kritikoi qeverinë se është fokusuar në masa sociale, në vend të politikave që tërheqin investime, rrisin prodhimin dhe krijojnë vende pune. Mustafa përmbylli duke thënë se nuk pritet zhvillim me qeverinë aktuale, e cila, sipas tij, ka zgjedhur të “administrojë varfërinë” nëpërmjet ndihmave të përkohshme.

Kjo deklaratë e Mustafës vjen pas vlerësimit nga ministri Murati të raportit të FMN-së, i cili parashikon se Kosova do të jetë ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë gjatë viteve të ardhshme.