Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka ngritur sot akuza ndaj Qeverisë, duke pretenduar se shumë pacientë me astmë dhe sëmundje kronike obstruktive të mushkërive (SKOM) kanë mbetur pa terapinë e nevojshme. Sipas LSDM-së, Fondi i Sigurimit Shëndetësor fillimisht rriti çmimin e barit “Foster” nga 300 në 1.080 denarë. Gjithashtu, sipas partisë, zëvendësuesi gjenerik i premtuar nuk gjendet në farmacitë e vendit.
Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, theksoi se shumë pacientë nuk mund të përballojnë rritjen e çmimit dhe se mungesa e barit rrezikon drejtpërdrejt shëndetin e tyre. Ajo kërkoi përgjegjësi dhe marrjen e masave urgjente për të siguruar qasje të pandërprerë në terapi. Kuzeska theksoi se kjo nuk është hera e parë që qytetarët mbeten pa terapi thelbësore, duke përmendur mungesën e terapisë biologjike për pacientët onkologjikë vitin e kaluar.
Pas këtyre akuzave, Ministria e Shëndetësisë reagoi duke njoftuar se kompania mbajtëse e autorizimit për barin “Foster” ka informuar se ilaçi shumë shpejt do të jetë sërish në dispozicion të pacientëve pa pagesë shtesë. Ministria deklaroi se do të vazhdojë aktivitetet për të siguruar qasje më të madhe në barna me çmime më të përballueshme. Çmimet e reja për barin “Foster” u publikuan nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor më 18 qershor, ku çmimi shkoi nga 300 në 1.081 denarë.