Programi, i cili zbatohet në partneritet me Qeverinë e Gjermanisë dhe GIZ-in, synon forcimin e ekonomisë rurale, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bizneseve në zonat rurale të Kosovës.

Ministri Muja theksoi interesimin e madh për skemën, me 1,334 aplikime gjithsej. Pas një procesi transparent, u përzgjodhën 642 përfitues. Nga këta, 556 mbështeten në skemën e investimeve të vogla, 65 në atë të mesme, dhe 21 në skemën e investimeve të mëdha.

Muja deklaroi se këto investime do të ndikojnë në krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e të ardhurave familjare dhe zhvillimin e ndërmarrjeve rurale. Ai shtoi se 35% e përfituesve janë gra dhe 30% janë të rinj.

Skema mbështet investime në fusha si bletaria, agroturizmi, përpunimi i produkteve bujqësore, kultivimi i bimëve mjekësore dhe aromatike, produktet pyjore jo-drusore, shpezëtaria dhe akuakultura. Këto aktivitete kontribuojnë në diversifikimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e mundësive të reja për punësim dhe zhvillim lokal. Muja falënderoi Qeverinë e Gjermanisë dhe GIZ-in për partneritetin e tyre.