Ertugrul Dogan, presidenti i klubit turk Trabzonspor, ka konfirmuar se shqiptari Ernest Muçi nuk do të largohet nga skuadra. Dogan theksoi se klubi nuk ka ndërmend të shpërbëjë bërthamën aktuale të ekipit, pavarësisht interesit për disa futbollistë.

Në një prononcim për mediat, presidenti e cilësoi Muçin si një nga lojtarët më të rëndësishëm. Ai vuri në dukje kontributin e 24-vjeçarit në fitimin e shumë ndeshjeve. Vendimet për merkaton po merren në bashkëpunim me trajnerin, me objektivin për të ndërtuar një skuadër konkurruese për titull. Dogan theksoi se plani nuk përfshin largimin e tre apo katër lojtarëve kyçë, duke lejuar maksimumi dy ose tre largime në total.

Këto deklarata vijnë në kohën kur emri i Muçit qarkullon për një interesim nga klube të tjera, përfshirë Napolin. Megjithatë, qëndrimi i Trabzonsporit mbetet i prerë, duke e konsideruar Muçin pjesë thelbësore të projektit për sezonin e ardhshëm futbollistik.