Fundjava shënohet nga mot i qëndrueshëm dhe kthjellime të gjata në të gjithë territorin, veçanërisht në bregdet. Temperaturat maksimale për sot arrijnë deri në 36°C, kryesisht në Elbasan dhe Berat. Tirana, Shkodra dhe Gjirokastra priten të kenë maksimume deri në 35°C, ndërsa bregdeti luhatet nga 31 deri në 34°C. Juglindja do të jetë zona më e freskët, me temperatura nga 28 deri në 30°C.

Dita e diel sjell një rënie të lehtë të temperaturave, me maksimume që nuk do të kalojnë 34-35°C në rang vendi.

Meteorologu Hakil Osmani parashikon që java e ardhshme të nisë me mot të qëndrueshëm dhe kthjellime, me kalime të lehta vranësirash. Pasditen e së hënës, vranësirat pritet të shtohen në gjysmën lindore të vendit, duke përfshirë verilindjen, juglindjen dhe pjesërisht qendrën. Kjo mund të sjellë rrebeshe shiu të izoluara, më të theksuara në zonat veriore dhe verilindore si Bajram Curri, Puka dhe Kukësi.

Edhe e marta do të ketë diell në mëngjes, por pasditja sjell sërish vranësira dhe reshje të pakta shiu, kryesisht të lokalizuara në zonat jugore dhe juglindore. Bregdeti do të mbetet i mbrojtur. Temperaturat maksimale deri të mërkurën do të luhaten rreth 34-35°C në zonat e ulëta. Pas të mërkurës, pritet një rritje e mëtejshme e temperaturave, ku e enjtja dhe e premtja do të shënojnë maksimume mbi 36°C.