Këtë fundjavë Shqipëria do të përjetojë mot të qëndrueshëm me kthjellime të gjata, veçanërisht në zonat bregdetare. Temperaturat maksimale ditën e sotme pritet të arrijnë deri në 36°C, ndërsa zona më e freskët do të jetë juglindja, me vlera nga 28 deri në 30°C.
Dita e diel sjell një rënie të lehtë të temperaturave, me maksimumet që nuk do të kalojnë 34-35°C në mbarë vendin. Fillimi i javës së ardhshme, dita e hënë, do të vazhdojë me mot të qëndrueshëm, kthjellime dhe kalime të lehta vranësirash. Pasdite, vranësirat do të shtohen në gjysmën lindore të territorit, duke sjellë mundësi për rrebeshe shiu të izoluara, kryesisht në veri dhe verilindje.
Edhe dita e martë do të nisë me diell gjatë mëngjesit, por pasditja do të sjellë vranësira dhe reshje të pakta shiu, të lokalizuara në jug dhe juglindje. Temperaturat maksimale deri ditën e mërkurë do të luhaten rreth 34-35°C në zonat e ulëta. Pas të mërkurës, pritet një rritje e sërishme e temperaturave, me maksimumet që do të kalojnë 36°C gjatë së enjtes dhe së premtes, duke përfshirë edhe rritje të temperaturave minimale në orët e para të mëngjesit.