Gjatë javës 6-10 korrik, Kosova do të përjetojë mot kryesisht me diell dhe vranësira të herëpasherëshme. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës parashikon mundësi për riga shiu lokale të hënën dhe të martën, të izoluara.

Pjesa tjetër e javës do të karakterizohet nga mot i qëndrueshëm dhe i favorshëm. Temperaturat minimale do të luhaten nga 8 deri në 14 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të variojnë nga 24 deri në 30 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi me intensitet të lehtë deri mesatar.

Kushtet agrometeorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore. Megjithatë, reshjet e lehta nuk do të mjaftojnë për të plotësuar nevojat ujore të bimëve. Fermerëve u rekomandohet ujitja, sidomos për kulturat perimore dhe sipërfaqet me kapacitet të ulët për mbajtjen e lagështisë. Kushtet e motit do të jenë të përshtatshme për korrje-shirjet e grurit, me ndërprerje të mundshme vetëm lokalisht për shkak të reshjeve të shkurtra.

Kushtet biometeorologjike do të jenë të favorshme për shumicën e qytetarëve. Temperaturat e freskëta në mëngjes dhe mbrëmje, si dhe mungesa e vapës ekstreme, pritet të ndikojnë pozitivisht në mirëqenie. Ekspertët këshillojnë hidratim të rregullt dhe shmangie të ekspozimit të panevojshëm në diell gjatë orëve me rrezatim të lartë UV.