Vendimi për lirimin me kusht u mor nga Gjykata e Lartë në Beograd më 25 qershor, konfirmoi avokati i tij, Novak Llukiq. Gjykata e Apelit në Beograd e dënoi Perishiqin me katër vjet burg në vitin 2022. Ai kaloi pothuajse tre vjet në burg.
Perishiq u gjet fajtor për dorëzimin e një dokumenti sekret ushtarak një zyrtari të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, John Neighbour, në mars të vitit 2002. Dokumenti ishte procesverbal i një mbledhjeje të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë nga viti 2001, me klasifikimin "Sekret ushtarak - tepër konfidencial".
Dokumenti u zbulua te diplomati amerikan gjatë një ndërhyrjeje të shërbimit të sigurisë dhe policisë ushtarake. Në kohën e arrestimit, në vitin 2002, Perishiq shërbente si zëvendëskryeministër i Serbisë.
Perishiq ishte akuzuar edhe nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë dhe u dënua fillimisht me 27 vjet burg për krime lufte. Megjithatë, në vitin 2013, Dhoma e Apelit e liroi atë nga të gjitha akuzat dhe urdhëroi lirimin e tij.