Luka Modriç u shpreh i zhgënjyer me rezultatin e ndeshjes kundër Portugalisë. Ai theksoi se Kroacia meritoi më shumë, duke vënë në dyshim përdorimin e teknologjisë VAR dhe gjykimin.
Modriç deklaroi se ndeshja mund të ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë, skuadra nuk performoi në nivelin më të mirë, ndërsa në pjesën e dytë pati një paraqitje "fenomenale". Megjithatë, Kroacia nuk arriti të konkretizonte rastet.
Sipas mesfushorit, gjyqtari argumentoi se Matanovic e preku topin, çka çoi në një pozicion jashtë loje. Mirëpo, Modriç kundërshtoi këtë pretendim, duke u bazuar te pamjet filmike që, sipas tij, nuk tregojnë një prekje të tillë. Ai shtoi se nëse topi nuk preket, nuk mund të ketë pozicion jashtë loje.
Modriç kritikoi gjithashtu vendimin për penalltinë në favor të Portugalisë, duke sugjeruar se situata ishte e kundërt dhe se VAR nuk duhej të ishte përfshirë. Ai theksoi se VAR duhet të aktivizohet vetëm për gabime "200 për qind" dhe jo në zona gri, pasi shpeshherë shkon në dëm të skuadrës së tij. Ai shprehu shqetësimin se vendime të tilla ndikojnë te fatet e ndeshjeve.