Vendimi u mor pas monitorimit të vazhdueshëm të tregut dhe analizës së të dhënave të Doganës së Kosovës. Këto të dhëna tregojnë se çmimet e importit të derivateve nuk kanë shënuar ulje. Ministria thekson se ndryshimet në tregjet ndërkombëtare reflektohen më shpejt kur çmimet rriten, ndërsa uljet nuk ndiqen plotësisht ose me vonesë në tregun vendor.

Me këtë vendim të ri, çmimi maksimal i shitjes me shumicë do të llogaritet mbi bazën e çmimit mesatar të furnizimit të evidentuar nga Dogana e Kosovës, duke shtuar 2 eurocentë për litër. Çmimi maksimal i shitjes me pakicë do të jetë çmimi mesatar i furnizimit plus 12 eurocentë për litër.

MINTI u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve tregtuese të naftës të respektojnë çmimet e përcaktuara dhe të sigurojnë furnizim të rregullt. Zbatimi i vendimit do të mbikëqyret nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës. Mosrespektimi i vendimit do të sjellë masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi.