Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) shpenzoi rreth gjysmë milioni euro për 61 punonjës të komunitetit serb në vitin 2025. Këta punonjës ishin sistemuar në bazë të një vendimi qeveritar të vitit 2015, me qëllim integrimin në institucionet e Republikës së Kosovës. Raporti i ZKA-së thekson mungesën e evidencës për vijueshmërinë e tyre në punë.
Sipas ZKA-së, ministritë përkatëse i vendosën këta punonjës në listat e pagave pa krijuar më parë kushte, hapësira fizike apo mekanizma monitorimi. Kjo i bën pagesat të parregullta. Punonjësit e angazhuar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2025 nuk janë të sistemuar në pozita të rregullta dhe nuk ushtrojnë aktivitet në kuadër të MMPHI-së.
Ndërkohë, edhe Ministria e Punëve të Brendshme pagoi rreth 120 mijë euro për 19 punonjës serbë që nuk u paraqitën në punë gjatë vitit 2025. Vetëm për punonjësit serbë të MMPHI-së, nga viti 2020 deri në vitin 2025, shpenzimet arritën në 2.1 milionë euro.
ZKA ka kërkuar nga ministrat të ndërmarrin veprime për të gjetur një zgjidhje për këta punonjës, në përputhje me kërkesat ligjore. Pavarësisht gjetjeve, rekomandimet e auditimit vazhdojnë të mos zbatohen ndër vite, duke përsëritur të njëjtat probleme.
Përveç MMPHI-së dhe MPB-së, paga pa shkuar në punë marrin edhe mbi 100 punonjës të tjerë të komunitetit serb, të sistemuar në katër ministri të tjera.