Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) konfirmoi se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka shpenzuar rreth gjysmë milioni euro në vitin 2025 për 61 punonjës serbë pa evidencë të qartë të vijueshmërisë. Këta punonjës janë sistemuar bazuar në një vendim qeveritar të vitit 2015, me synimin e integrimit në institucionet e Kosovës.

Raporti i ZKA-së thekson se ministritë i kanë vendosur këta punonjës në listat e pagave para krijimit të kushteve fizike për punë, sistemimit dhe monitorimit të tyre, duke i bërë këto pagesa të parregullta. Punonjësit e angazhuar sipas Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2025 nuk janë sistemuar në pozita të rregullta dhe nuk ushtrojnë aktivitete brenda MMPHI-së.

Gjetjet e ZKA-së tregojnë se rekomandimet për këtë çështje nuk janë zbatuar ndër vite, me një numër të konsiderueshëm që përsëriten. ZKA ka kërkuar nga ministrat të ndërmarrin veprime për zgjidhjen e situatës në përputhje me kërkesat ligjore.

Veç MMPHI-së, edhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka paguar rreth 120 mijë euro për 19 punonjës serbë, të cilët nuk janë paraqitur në punë gjatë vitit 2025. Nga viti 2020 deri në vitin 2025, shpenzimet totale për punonjësit serbë të MMPHI-së kanë arritur në 2.1 milionë euro. Sipas ZKA-së, paga pa shkuar në punë marrin edhe mbi 100 punonjës të tjerë serbë të sistemuar në katër ministri të tjera.