Rreth 15,000 persona morën pjesë në protesta, sipas vlerësimeve të policisë. Aktivistë nga sindikata, grupe të shoqërisë civile dhe parti të majta u mblodhën në qytetin lindor. Një numër i madh forcash policore, përfshirë përforcime nga e gjithë Gjermania, u dislokuan përreth vendit ku po mbahej konferenca dy-ditore e AfD-së. Protestuesit u ulën në rreshta për të bllokuar autostradat dhe rrugët që të çojnë drejt qendrës së konventave.
Georg Becker nga grupi anti-AfD “Widersetzen” (Rezisto) deklaroi se nuk do të tolerohet rritja e fashizmit në Gjermani. Konferenca e AfD-së, ku pritet të rizgjedhen bashkëkryetarët Alice Weidel dhe Tino Chrupalla, zhvillohet para zgjedhjeve në Saksoninë-Anhalt dhe Mecklenburg-Vorpommern. AfD shpreson se këto zgjedhje do të hapin rrugën për sukses në nivel kombëtar.
Partia AfD, e krijuar më shumë se një dekadë më parë, ka shënuar rritje në sondazhet e opinionit publik. Ajo promovon retorikë nacionaliste, bën thirrje për politika më të ashpra imigracioni dhe apelon tek votuesit e zhgënjyer me qeveritë e njëpasnjëshme dhe stanjacionin ekonomik. Kundërshtarët akuzojnë AfD-në për nxitjen e qëndrimeve raciste dhe kërcënimin e rendit kushtetues. Partitë kryesore kanë përjashtuar bashkëpunimin me AfD-në, duke zbatuar një strategji për ta izoluar dhe mbajtur jashtë qeverive të koalicionit. Sondazhet e fundit tregojnë mbështetjen e AfD-së deri në 29%.