Hristijan Mickoski theksoi se borxhi ishte marrë nga qeveria e mëparshme. Ai shtoi se në dy vitet e fundit janë shlyer ose riprogramuar rreth 4.5 deri në 4.6 miliardë euro borxh. Ky borxh, tha kryeministri, është krijuar kryesisht gjatë shtatë viteve të qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së.
Mickoski deklaroi se qeveria aktuale po u shërben këtyre detyrimeve ndërkohë që siguron fonde për projekte infrastrukturore. Ai përmendi edhe nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive me sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe administratës.
Krahasuar parametrat ekonomikë, kryeministri tha se rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) gjatë qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së ishte pak nën 1.8 për qind. Në shtatë tremujorët e qeverisë së udhëhequr nga OBRM-PDUKM dhe koalicioni, rritja e PBB-së ka arritur në pothuajse 3.5 për qind, pra gati dyfish më e lartë.