Kryeministri Mickoski theksoi se partitë opozitare vepruan kështu nga frika se nuk gëzojnë besimin e mërgimtarëve. Ai e quajti këtë një mesazh të fortë drejtuar diasporës.
Mickoski kujtoi se LSDM-ja, kur ishte në qeveri, dëboi shumë qytetarë jashtë vendit. Tani, sipas tij, po i ndëshkon për herë të dytë duke mos i lejuar të marrin pjesë në zgjedhje. Ai propozoi votimin elektronik për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Kryeministri shpjegoi se gjatë muajve të fundit, Kuvendi zhvilloi debat konstruktiv për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Gjithçka ishte harmonizuar dhe gati, por në momentin e fundit, partia “E Majta” refuzoi të nënshkruajë parashtresën. Ajo refuzoi nënshkrimin e Kodit Zgjedhor të cilin vetë e kishte propozuar dhe harmonizuar.
Mickoski përmendi se qeveria kishte pranuar të gjitha kërkesat e “Të Majtës”, përfshirë edhe financimin e fushatës, e cila ishte prioriteti kryesor i tyre. Ai theksoi se partia “E Majta” negocionte prej katër muajsh me të gjitha grupet parlamentare, por në fund veproi ndryshe nga ç'premtoi.
Kryeministri aludoi gjithashtu në dëshminë e ish-kryeministrit Zoran Zaev, i cili kishte deklaruar se ishin siguruar burime që “E Majta” të merrte vota, për të qenë më pas në koalicion me LSDM-në dhe për të mbështetur qeverinë e tij.