Futbollistët e Kepit të Gjelbër pritën Messin pas ndeshjes për të bërë fotografi dhe për t'i kërkuar fanellën, dëshirë të cilën argjentinasi e pranoi me buzëqeshje. “Më kërkuan fanellën, më kërkuan gjithçka... Por në fushë ‘më rrahën’”, u shpreh Messi me shaka.

Kapiteni i Argjentinës ishte protagonisti kryesor i ndeshjes. Ai shënoi golin e parë, golin e tij të 20-të në histori të Botërorëve, duke u bërë lojtari me më së shumti gola. Messi më pas asistoi për golin e Lisandro Martinez nga një goditje nga këndi. Krosimi i tij solli edhe autogolin e Dineyt, i cili vulosi fitoren 3:2.

Messi theksoi rëndësinë e ndërprerjeve në këtë fitore. Ai vuri në dukje se ekipi kishte punuar gjatë për situata të tilla. “Ky ekip e ka treguar prej kohësh se lufton deri në fund. Sot u pa sa të rëndësishme janë ndërprerjet. Kemi lojtarë shumë të mirë në lojën në ajër dhe arritëm ta shfrytëzojmë këtë armë. Kemi punuar për një kohë të gjatë si në aspektin ofensiv, ashtu edhe në atë mbrojtës”, deklaroi ai.

Argjentina do të luajë ndeshjen e ardhshme kundër Australisë të martën.