Historia e festimit të veçantë të Messit nis në vitin 1992, kur ai ishte vetëm pesë vjeç. Gjatë një ndeshjeje të vëllait të tij në skuadrën Grandoli, trajnerit i duhej një lojtar shtesë. Gjyshja Celia i kërkoi trajnerit Salvador Ricardo Aparicio që të aktivizonte Leon, pavarësisht hezitimit të tij për moshën e vogël të djalit.
Pas insistimit të gjyshes, Messi u fut në fushë. Ai shënoi dy gola në debutimin e tij dhe që atëherë u bë pjesë e rregullt e ekipit. Vetë Messi e kujton me emocion atë moment, duke treguar se pas ndeshjes gjyshja i kërkoi trajnerit t'i blinte këpucë futbolli dhe ta merrte në stërvitje.
Celia ishte tifozja e parë dhe mbështetësja më e madhe e Messit. Ajo e shoqëronte në çdo stërvitje dhe ndeshje, duke jetuar për nipërit e saj. Messi ka treguar se gjyshja e tij bërtiste vazhdimisht nga tribuna: “Jepjani topin Leos! Pasojani të voglit, ai do të shënojë.”
Në maj të vitit 1998, pak para se Messi të mbushte 11 vjeç, Celia ndërroi jetë në moshën 67-vjeçare pas një sëmundjeje. Humbja e saj ishte një goditje e rëndë për futbollistin. Që nga fillimi i karrierës së tij profesionale, Messi vazhdon t'i dedikojë të gjitha golat dhe fitoret gjyshes së tij. Ai shpreh dëshirën që ajo të ishte gjallë për të parë gjithë arritjet e tij.