Që nga mesi i qershorit, të paktën pesë persona janë zbuluar në këtë gjendje, duke krijuar një debat publik dhe duke nxitur hetimet e autoriteteve.
Veprimi i parë u regjistrua më 13 qershor, kur një person u gjet i lidhur në një shtyllë me shirit ngjitës, ndërsa në ballë kishte shkruar fjalën "hajdut". Pranë tij u gjet edhe një motoçikletë e dyshuar si e vjedhur. Pas kësaj, policia ka zbuluar edhe katër raste të tjera të ngjashme.
Sekretari i Sigurisë Publike të Jalisco-s, Juan Pablo Hernández, ka deklaruar se hetimet janë duke u zhvilluar për të zbardhur sulmet dhe për të identifikuar personat përgjegjës. Hernandez theksoi se pesë burrat e gjetur të lidhur po trajtohen si viktima. Ai paralajmëroi se askush nuk duhet të marrë ligjin në duart e veta, pavarësisht motiveve.
Ndërsa shumica besojnë se këto veprime janë kryer nga një vigjilent i vetëm, autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e një grupi. Incidentet kanë nxitur diskutime të shumta në rrjetet sociale meksikane, duke ndarë opinionin publik mes atyre që dënojnë "drejtësinë vigjilente" dhe atyre që mbështesin autorin e dyshuar.
Një rast i ngjashëm u raportua në vitin 2018 në Puerto Vallarta, ku 11 persona u gjetën të zhveshur dhe të lidhur në shtylla ndriçimi, me shkronjën "R" të rruar në kokë. Ai mister nuk u zgjidh kurrë.