Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, mori pjesë në sesionin e 33-të të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Në këtë sesion marrin pjesë 57 delegacione parlamentare të vendeve të OSBE-së, si dhe një delegacion i lartë nga Senati dhe Kongresi Amerikan. Diskutimet u përqendruan te siguria, agresioni rus në Ukrainë, konflikti në Lindjen e Mesme, lufta kundër trafikut të drogës, krimi i organizuar, korrupsioni qeveritar, zgjedhjet dhe liritë demokratike.
Në fjalën e tij në Komitetin Politik, Mediu theksoi se Shqipëria po kalon momente të vështira, por po dëshmon një lëvizje qytetare kundër arrogancës, korrupsionit, krimit të organizuar dhe kapjes së shtetit. Ai e cilësoi këtë protestë masive si shprehje të shpirtit euro-atlantik të shqiptarëve, të cilët kërkojnë një qeveri që u shërben interesave kombëtare dhe një klasë politike të përgjegjshme, të zgjedhur përmes votave të popullit, jo manipulimit dhe krimit.
Gjatë takimit me kongresmenin Joe Wilson, Mediu shprehu falënderime për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe interesin për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Në këtë takim folën edhe Kryeministri Holandez, Kryetarja e Senatit dhe Kryetari i Parlamentit të Holandës.