Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, zhvilloi një takim me gjyqtarë dhe prokurorë, ku u diskutuan çështje thelbësore për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave. Këto përpjekje janë pjesë e procesit të hartimit të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore 2027–2031.
Strategjia synon avancimin e koordinimit ndërinstitucional, forcimin e shtyllës së ndjekjes penale dhe gjyqësore, si dhe zbatimin e plotë të standardeve të Konventës së Stambollit. Gërvalla theksoi rëndësinë e rolit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke vënë në pah nevojën për profesionalizëm, paanshmëri dhe ndjeshmëri ndaj viktimave.
Ajo shtoi se vendimet e marra në kohën e duhur mund të shpëtojnë jetë dhe të parandalojnë përsëritjen e dhunës, duke rikthyer besimin te drejtësia. Ministrja nënvizoi se asnjë reformë ligjore nuk arrin efektin e plotë pa përkushtimin e institucioneve dhe profesionistëve që zbatojnë ligjin çdo ditë.
Gërvalla bëri thirrje për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërinstitucional për të ndërtuar një sistem drejtësie që jo vetëm ndëshkon dhunën, por edhe e parandalon, duke garantuar trajtim dinjitoz për çdo viktimë.