Aktivisti Dritan Toçi deklaroi se grupi prej mbi 300 shqiptarësh, kryesisht nga diaspora në Londër, ka nisur udhëtimin drejt Shqipërisë. Ky marshim simbolik pritet të fillojë nga Shkodra dhe të vazhdojë drejt Tiranës. Detajet e organizimit do të bëhen të ditura më vonë.

Toçi theksoi se protesta synon largimin e qeverisë aktuale, e cila, sipas tij, ka dështuar. Ai shtoi se diaspora dhe shqiptarët kanë një pakënaqësi të thellë, dhe kjo protestë vjen si një përpjekje për t'i rikthyer Shqipërinë shqiptarëve.

Ai paralajmëroi se çdo konflikt i mundshëm gjatë protestës do të jetë përgjegjësi e qeverisë dhe kërkoi reagim nga ana e saj. Toçi përmendi se prej 13 vitesh ka punuar në Britaninë e Madhe dhe se janë organizuar protesta çdo fundjavë para Ambasadës Shqiptare në Londër. Ai bëri thirrje për unitet, duke theksuar se ka mbaruar koha e partive dhe është koha e shqiptarëve.