Fluksi i lartë i hyrjeve shkaktoi radhë të gjata automjetesh. Autoritetet kufitare vunë në funksion të gjitha sportelet e kontrollit për të përballuar situatën. Nga ora 05:00 deri në 09:00, 11,725 shtetas kosovarë hynë në Shqipëri me 2,740 automjete, sipas të dhënave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.
Për automjetet me targa të Kosovës zbatohet kalimi pa kontrolle të detajuara, bazuar në marrëveshjet në fuqi. Për targa të huaja, aplikohen procedura të përshpejtuara. Këto masa synojnë shmangien e vonesave dhe lehtësimin e qarkullimit.
Në drejtim të Morinës u regjistrua gjithashtu ngarkesë e shtuar në trafik. Kjo erdhi pas dy aksidenteve të njëpasnjëshme në Vërmicë, pranë Prizrenit, ku u përfshinë gjashtë automjete. Shtatë persona mbetën të lënduar nga këto aksidente.