Vdekja e Kastriot Sabedinit në Burgun e Gjilanit vazhdon të mbetet e pazbardhur prej gati dy vitesh. Ai u transferua në këtë burg më 18 korrik 2024 dhe u gjet pa shenja jete pak orë më vonë. Shkaku zyrtar i vdekjes nuk është përcaktuar ende, pasi raporti përfundimtar i autopsisë nuk është lëshuar.

Sabedini u arrestua më 22 qershor 2024 nën dyshimin për dhunë në familje. Më 24 qershor, Gjykata Themelore në Ferizaj caktoi masën e paraburgimit dhe urdhëroi ekzaminim psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike (IPFK).

Për shkak të mungesës së kapaciteteve, Sabedini nuk u pranua menjëherë në IPFK. Ai qëndroi atje nga 5 deri më 17 korrik 2024. Një ditë më pas, më 18 korrik, ai u transferua në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan. Dokumentet tregojnë se menjëherë pas pranimit iu administrua terapia e përshkruar. Vetëm tetë orë pas mbërritjes, Sabedini u gjet pa ndjenja në qeli dhe nuk i mbijetoi ndihmës mjekësore.

Prindërit e Kastriotit shprehen të hidhëruar dhe të paqartë mbi rrethanat e vdekjes së djalit të tyre, duke theksuar se institucionet nuk u kanë dhënë asnjëherë një shpjegim të qartë. Gjykata e Ferizajt deklaron se gjyqtari i procedurës nuk ishte në dijeni për transferimin e të paraburgosurit nga IPFK në burg.

Prokuroria në Gjilan po trajton rastin si vdekje të dyshimtë. Prokurori Arben Ismajli ka dërguar tri urgjenca në Institutin e Mjekësisë Ligjore për raportin e autopsisë, por nuk ka marrë ende përgjigje. Mungesa e këtij raporti pengon avancimin e hetimeve dhe krijon pakënaqësi te familjarët.

Dosja e rastit tregon se më 18 korrik 2024, Kastriot Sabedini u pranua në Burgun e Gjilanit në orën 16:10. Ai u kontrollua nga gardianët dhe një ekip mjekësor. Në mesnatën e 19 korrikut, gardianët e gjetën atë të shtrirë në dysheme, dhe pas thirrjes së ekipit mjekësor, u konfirmua vdekja.

Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk ka dhënë përgjigje lidhur me ngjarjen dhe situatën e krijuar.