Fatmir Elezi, drejtor i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, njoftoi se mesatarja e arritshmërisë në gjuhën shqipe ishte 45.46%, ndërsa në gjuhën angleze 65.01%. Rezultatet në matematikë ishin dukshëm më të ulëta, me një mesatare prej 31.83%. Ndër lëndët zgjedhore, sociologjia shënoi rezultatet më të mira.
Njohësit e arsimit theksojnë se këto rezultate nuk janë të rastësishme dhe përsëriten prej vitesh. Jonuz Salihaj, njohës i arsimit, lidh këtë me mungesën e theksit mbi gjuhën shqipe në shkolla, si dhe me preferencën e nxënësve për anglishten dhe ambientin gjuhësor të krijuar në Kosovë. Ai sugjeron ndryshime rrënjësore në Ligjin për Maturën Shtetërore, duke përfshirë pajisjen e sallave me gjurmues dhe ndryshimin e mënyrës së testimit, si dhe teste të posaçme për shkollat profesionale.
Gjatë procesit të testimit, 45 nxënës u përjashtuan. Prej tyre, 34 u përjashtuan nga administratorët për shkak të përdorimit të telefonit, ndërsa 11 të tjerë u verifikuan se kishin postuar në rrjete sociale. Mbi 18 mijë maturantë iu nënshtruan testit, nga të cilët rreth 5 mijë nuk kaluan në afatin e parë dhe do të kenë një mundësi të dytë në gusht.