Katër persona janë arrestuar si organizatorë dhe drejtues të një veprimtarie mashtruese kompjuterike në Shkodër. Gjatë operacionit të koduar "Network", 61 punonjës u kapën në flagrancë dhe u proceduan në gjendje të lirë.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Shkodër, në bashkëpunim me specialistët nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, finalizuan operacionin pas hetimeve proaktive. Të arrestuarit janë F. P., 37 vjeç, administrator i subjektit, si dhe L. M., 43 vjeç, B. N., 41 vjeç dhe N. B., 42 vjeç.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas organizonin mashtrimin kompjuterik dhe drejtonin grupet e punonjësve. Gjatë kontrollit të ambienteve, policia sekuestroi 152 pajisje elektronike, përfshirë kompjuterë dhe laptopë, një shumë parash dhe materiale të tjera me interes për hetimin. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë Shkodër për veprime të mëtejshme.