Të dyshuarit J.J. (19), V.S. (23) dhe V.A. (19), të gjithë nga Shkupi, dyshohen se kanë sulmuar fizikisht të miturin duke e goditur me grushte, shqelma dhe duke i shkaktuar prerje me thikë. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:50 në rrugën Finska. Policia ka sekuestruar thikën e gjetur në vendngjarje, e cila tashmë është dorëzuar për ekspertizë.
Sektori i Punëve të Brendshme Shkup ngriti kallëzimin penal më 3 korrik. Të dyshuarit u privuan nga liria dhe u intervistuan, ndërsa vepra penale për të cilën akuzohen është “dhunë ndaj fëmijës” sipas nenit 201-a të Kodit Penal.
Masat e kujdesit të propozuara nga Prokuroria përfshijnë ndalimin e largimit nga vendbanimi, detyrimin për paraqitje të rregullt, konfiskimin e përkohshëm të dokumenteve të udhëtimit, ndalimin e vizitës në vendin e ngjarjes dhe ndalimin e kontaktit me të miturin e dëmtuar dhe prindërit e tij. Hetimet vazhdojnë me ekspertizën e gjurmëve dhe grumbullimin e provave. Rastet e dhunës mes të rinjve në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar rritje.