Dëshmitari kryesor, Naim Elshani, e cilësoi vendimin si qesharak, duke theksuar se plagët e tij ende kullojnë gjak. Ai shprehu mosmarrëveshjen e tij me dënimin prej 12 vitesh, të cilin e konsideron shumë të ulët për një kriminel lufte. Elshani theksoi gjithashtu rrezikun e vazhdueshëm për jetën e tij dhe mungesën e mbrojtjes nga prokuroria, pavarësisht kërkesave të tij të përsëritura.

Një tjetër dëshmitar, Ylber Lipa, u shpreh po ashtu i pakënaqur me vendimin. Ai vuri në dukje se dënimi maksimal i parashikuar nga ligjet e asaj kohe ishte 15 vjet. Lipa kritikoi mungesën e përkrahjes dhe interesit të shtetit ndaj dëshmitarëve, duke përmendur rastin e Naim Elshanit, i cili përballet me probleme shëndetësore dhe trauma psikologjike.

Aktakuza e ngarkonte Bajroviqin se, si pjesë e Stacionit Policor në Gurrakoc, ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, arrestime dhe tortura ndaj popullatës civile shqiptare. Sipas Prokurorisë, Bajroviq ishte pjesë e forcave që vranë 15 civilë shqiptarë në Staradran më 8 maj 1999. Po ashtu, më 7 maj 1999, ai mori pjesë në arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë, të cilët u ndanë, u grabitën dhe u torturuan në Gurrakoc.