Vizita e Kos synon të inkurajojë qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut drejt avancimit të negociatave të pranimit. Ajo theksoi se zgjerimi aktualisht ofron një mundësi unike, duke paralajmëruar se stanjacioni në procesin e reformave do të sjellë regres de facto.
Gjatë qëndrimit në Shkup, komisionerja do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministrin Bekim Sali dhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi. Pas takimit me Mickoskin, ata do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Kos theksoi se besimi mes vendeve kandidate dhe shteteve anëtare është thelbësor për përparimin në negociata, i ndërtuar mbi përmbushjen e detyrimeve dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Ajo shtoi se asnjë vend kandidat nuk ka marrë garanci për moslindjen e mosmarrëveshjeve gjatë procesit të pranimit, duke e cilësuar këtë si një realitet të zgjerimit të BE-së.
Komisioni po shqyrton mënyra të reja për afrimin gradual të vendeve kandidate me BE-në para anëtarësimit të plotë, por theksoi se kjo kërkon progres të vazhdueshëm në negociatat e pranimit. Pa këtë progres, integrimi gradual do të mbetet i kufizuar.
Maqedonia e Veriut mbetet në pritje të ndryshimeve kushtetuese, që përfshijnë shtimin e bullgarëve dhe etnive të tjera në Kushtetutë, si kusht për të avancuar bisedimet e anëtarësimit. Qeveria aktuale ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.