Pjesëmarrësit do të ecin përgjatë shtigjeve të përdorura nga banorët e Srebrenicës në korrik 1995, kur ata kërkonin shpëtim drejt territorit të lirë. Mbërritja në Potoçari pritet në mbrëmjen e 10 korrikut, për të marrë pjesë më pas në ceremoninë e përvjetorit dhe varrimin kolektiv më 11 korrik.
"Marshi i Paqes" organizohet prej vitit 2005 dhe ka për qëllim ndërtimin e kulturës së kujtesës për gjenocidin ndaj boshnjakëve në Srebrenicë. Këtë vit, 10 viktima të reja do të varrosen në Qendrën Memoriale të Srebrenicës në Potoçari, duke përfshirë Senad Jusiq (lindur 1975) dhe Ramo Dautoviq (lindur 1939).
Deri më tani, 6,772 viktima janë varrosur në Qendrën Memoriale në Potoçari, ndërsa rreth 250 të tjerë janë varrosur në vende të ndryshme sipas dëshirës së familjeve. Mbi 1,000 persona nga Srebrenica dhe zonat përreth mbeten të zhdukur.
Në korrik 1995, forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska vranë mbi 8,300 boshnjakë në Srebrenicë, një zonë e mbrojtur nga OKB. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 konstatoi se gjenocidi ishte kryer dhe e shpalli Serbinë përgjegjëse për mosparandalimin e tij.
Mbi 50 persona janë dënuar me rreth 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë. Ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i ushtrisë, Ratko Mlladiq, janë dënuar me burgim të përjetshëm.