Pjesëmarrësit do të ecin për tri ditë, duke ndjekur shtigjet e përdorura nga boshnjakët që u përpoqën të arrinin në territorin e lirë në Tuzëll ose Klladanj në korrik 1995. Mbërritja në Potoçari pritet në mbrëmjen e 10 korrikut. Më 11 korrik, ata do të marrin pjesë në shënimin e përvjetorit dhe ceremoninë e varrimit kolektiv.

"Marshi i Paqes" organizohet që nga viti 2005 me qëllim ndërtimin dhe ruajtjen e kulturës së kujtesës për gjenocidin. Këtë vit, viktima më e re që do të varroset është Senad Jusiq, i lindur në 1975, ndërsa më i moshuari është Ramo Dautoviq, i lindur në 1939. Mbetjet mortore të Jusiq u zhvarrosën në 2022.

Deri më tani, 6.772 viktima të gjenocidit janë varrosur në Qendrën Memoriale të Srebrenicës në Potoçari. Rreth 250 viktima të tjera janë varrosur në vende të ndryshme, sipas kërkesave të familjeve. Mbi 1.000 persona nga Srebrenica dhe komunat përreth vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Në korrik të vitit 1995, forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska vranë mbi 8.300 boshnjakë në Srebrenicë dhe zonat përreth. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 konstatoi se në Srebrenicë, një zonë e mbrojtur nga OKB atëherë, ishte kryer gjenocid. Serbia u shpall përgjegjëse për mosparandalimin e gjenocidit dhe shkeljen e detyrimit për të ndëshkuar autorët.

Mbi 50 persona janë dënuar me rreth 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë. Ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiç, dhe komandanti i ushtrisë, Ratko Mlladiç, janë dënuar me burgim të përjetshëm.