Deputetja Marjana Koçeku, e larguar nga Partia Socialiste, refuzon të heqë dorë nga mandati parlamentar. Ajo ka bërë të ditur se prej disa ditësh po përballet me profile të rreme dhe sulme online, të cilat synojnë ta detyrojnë të largohet nga Parlamenti.

Koçeku theksoi se pas këtyre sulmeve qëndrojnë struktura të organizuara. Ajo përmendi se qarkullojnë rreth 800 mijë profile të rreme. Sipas deputetes, bashkitë janë kthyer në "garnizone të këtyre mercenarëve", të cilët ushtrojnë presion të përditshëm përmes komenteve dhe postimeve. Këto sulme janë intensifikuar veçanërisht gjatë periudhës së protestave.

Deputetja Koçeku akuzoi mbështetës të qeverisë për përdorimin e rrjeteve sociale për të denigruar zërat kritikë. Ajo deklaroi se e ka ditur që "çmimi i të folurit lirshëm do të jetë i lartë", por heshtja do të kishte kushtuar më shumë. Koçeku shtoi se nuk duhet të krijohet një "republikë e falsitetit dhe e fantazmave online".