Një studim i publikuar në revistën shkencore “Scientific Reports” nxjerr në pah avantazhin e grave në menaxhimin e ritmit gjatë maratonave. Kërkimi analizoi të dhëna nga mbi 873 mijë pjesëmarrës në Maratonën e Berlinit, nga viti 1999 deri në 2025.
Rezultatet treguan se burrat kanë deri në gjashtë herë më shumë gjasa se gratë të përjetojnë një rënie të fortë të ritmit në kilometrat e fundit, e njohur si “goditja e murit”. Kjo vlen edhe për atletët elitarë; burrat që përfundojnë garën në më pak se tre orë, rezultuan rreth gjashtë herë më të prirur të humbnin ritmin me të paktën 20% në gjysmën e dytë të garës.
Edhe pse burrat përfundojnë mesatarisht garën më shpejt, ata tentojnë të nisin me një ritëm më agresiv dhe të menaxhojnë më dobët rezervat e energjisë. Kjo çon në ngadalësim të ndjeshëm në pjesën e dytë të maratonës. Studiuesit e lidhin këtë me prirjen e burrave për të marrë rreziqe dhe vetëbesimin më të lartë gjatë garës.
Kontrolli i ritmit konsiderohet një nga faktorët më të rëndësishëm për një performancë të suksesshme në maratonë, pavarësisht gjinisë së sportistit.