Sipas Filipçes, vendet kandidate aktualisht gëzojnë mbështetje të madhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për shkak të lëvizjeve gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Megjithatë, Maqedonia e Veriut mbetet anash këtij procesi. Ai theksoi se vendi është peng i paaftësisë personale të Mickoskit për t'u përballur me çështjen e anëtarësimit në BE.
Filipçe shtoi se Maqedonia e Veriut ndodhet jashtë trendeve evropiane, nën ndikimin e proceseve që dëmtojnë integrimin evropian. Ai paralajmëroi se izolimi politik sjell dështim ekonomik dhe rrezikon të lërë vendin të fundit në rajon, duke bllokuar të ardhmen evropiane.
Lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Filipçe tha se ato janë pjesë e Agjendës Reformuese. Megjithatë, ai përsëriti qëndrimin e LSDM-së se ndryshimet e propozuara nga qeveria, në lidhje me votimin e diasporës, janë problematike për shkak të mundësisë së mashtrimeve zgjedhore. Ai shpjegoi se shtohet një nen i ri për votimin e diasporës, i cili mund të vërë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve të ardhshme.
Filipçe shtoi se çështja e votimit elektronik ose me postë mund të diskutohet, por vetëm pas analizave serioze dhe studimit të përvojave ndërkombëtare. Një grup ekspertësh duhet të përcaktojë nevojën dhe formën e ndryshimeve në kushtet e Maqedonisë së Veriut. Ai kritikoi qeverinë se nuk ka interes për teknologji të reja në shëndetësi, arsim apo bujqësi, ndërsa kërkon një model të ri votimi për diasporën.