Sipas raportit EWCS 2024, burrat në Maqedoninë e Veriut do të dëshironin të punonin deri në moshën 62.8 vjeç, ndërsa gratë deri në 61.5 vjeç. Mosha aktuale ligjore e pensionit në vend është 64 vjeç për burrat dhe 62 vjeç për gratë.

Raporti vëren se në Evropën Jugore dhe Lindore, përfshirë Ballkanin, njerëzit priren të dalin në pension realisht më herët se mosha ligjore. Në kontrast, vendet nordike shfaqin një përputhje më të madhe mes moshës ligjore, asaj reale dhe preferencave të qytetarëve.

Sistemi pensional në Maqedoninë e Veriut po përballet me sfida. Të dhënat e Fondit Pensional për vitin 2025 tregojnë rreth 346 mijë pensionistë dhe 556 mijë persona të siguruar. Kjo do të thotë që 1.6 punonjës financojnë një pensionist, një rënie e ndjeshme nga raporti i mëparshëm prej 3 punonjësish për një pensionist. Enti Shtetëror i Revizionit për periudhën 2014-2024 konstatoi se shtylla e parë pensionale operon me deficit, ku 32.6%–43.6% e të ardhurave mbulohen nga buxheti.

Institucionet financiare ndërkombëtare dhe ekspertët kanë kërkuar reforma për ta bërë sistemin pensional më të qëndrueshëm. FMN ka vlerësuar se vendi duhet të ndërmarrë reforma strukturore për shkak të plakjes së popullsisë dhe rritjes së shpenzimeve publike. Megjithatë, propozimi për rritjen graduale të moshës së pensionit nuk është shndërruar ende në ligj.

Anketa EWCS, e cila pyeti të anketuarit mbi 45 vjeç, zbuloi se dëshira për të punuar më gjatë shpesh reflekton nevojën ekonomike, sidomos në vendet me pensione të ulëta ose pasiguri financiare. Në Shqipëri, burrat do të dëshironin të punonin deri në moshën 67.4 vjeç, niveli më i lartë mes 35 vendeve të analizuara.